Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka publikuar një paralajmërim të ri dhe urgjent për shtetasit e saj që ndodhen në Iran. Në njoftimin e lëshuar nga Ambasada Amerikane thuhet qartë: Largohuni menjëherë nga Irani.
Sipas këtij paralajmërimi, qytetarëve amerikanë u kërkohet të largohen sa më shpejt nga vendi për shkak të rreziqeve të mundshme që lidhen me sigurinë. Autoritetet amerikane theksojnë se gjatë procesit të largimit, qytetarët nuk duhet të mbështeten në ndihmën e qeverisë së SHBA-ve, por të planifikojnë udhëtimin e tyre në mënyrë të pavarur.
Si rrugë më e sigurt rekomandohet largimi përmes tokës, konkretisht drejt Turqisë ose Armenisë. Ndërkohë, për ata që nuk kanë mundësi të largohen menjëherë, këshillohet të qëndrojnë në vend dhe të zbatojnë masa të shtuara për mbrojtjen personale.
Ky paralajmërim vjen në një moment delikat dhe nënvizon se situata për shtetasit amerikanë në Iran mbetet e ndjeshme dhe e paparashikueshme, duke kërkuar vigjilencë të lartë dhe reagim të shpejtë.
Në këtë kontekst, bëhet e ditur se SHBA-të dhe Irani pritet të nisin sot në Oman bisedimet lidhur me programin bërthamor iranian.
