Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar ndodhet në Brukel, ku po diskuton me aleatët dhe partnerët për të ardhmen e Kosovës me NATO’n, shkruan KFVAgency.com
Përmes një video nga selia e NATO’s, Hargraves ka kumtuar lajmin për zgjatjen e mandatit të trupave britanike në KFOR, edhe për tri vjet.
Ai ka folur edhe për rolin që mund të luajë Kosova në sigurinë europiane, duke përmendur mundësinë e angazhimit të FSK’së në Ukrainë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me miqtë dhe kolegët tanë kosovarë për të siguruar që Kosova të mund të vazhdojë të kontribuojë në sigurinë europiane. Ne gjithashtu mbesim të përkushtuar ndaj punës aktuale të KFOR’it në Kosovë dhe jam i lumtur që kryeministri jonë konfirmoi vitin e kaluar që ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për së paku edhe për tri vjet të tjera për të ndihmuar rolin e Kosovës, garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, ka deklaruar Hargraves.
Ambasadori britanik tha se Kosova duhet të vazhdojë të punojë që të arrijë standardet e NATO’s dhe që më pas të vazhdojë kontributin në sigurinë e përbashkët europiane.
“Dhe unë e kam parë nga afër që personeli i sigurisë së Kosovës po punon drejt standardeve të NATO’s dhe në gjithçka që bëjnë, ata kanë zhvilluar disa trajnime të përbashkëta me Mbretërinë e Bashkuar dhe për t’i pajisur që të bëhen përnjëmend një partner i dobishëm potencialisht në Ukrainë apo vende të tjera në Europë”, ka deklaruar tutje ambasadori britanik.
