Lajme

“Turistët snajperistë” në Sarajevë, Italia po heton një 80-vjeçar

Prokurorët në Milano po hetojnë një burrë të moshuar si pjesë e një investigimi mbi të ashtuquajturin “turizëm snajperësh” në Sarajevë gjatë viteve 1990.

Reuters raporton me burime se individi i parë që është identifikuar në hetimin që filloi vitin e kaluar, është një ish-shofer kamioni 80-vjeçar që jeton pranë qytetit verior italian Pordenone, përcjell Reporteri.net.

Prokurorët po hetojnë pretendime se të huaj ishin paguar për të qëlluar mbi civilë gjatë rrethimit të Sarajevës.

Ai përballet me akuza për disa vepra të vrasjes me paramendim për shkak të motiveve të ulëta.

Nuk është sqaruar nëse ai dyshohet se ka kryer vetë vrasjet apo ka ndihmuar me transportin dhe logjistikën për klientët.

Ai mbetet i lirë dhe është thirrur nga prokurorët për t’u marrë në pyetje më 9 shkurt.

Prokurorët në Milano hapen hetimin pasi gazetari Ezio Gavazzeni, deponoi kallëzim penal mbi pretendimet se italianë dhe të huaj të tjerë kishin paguar anëtarë të forcave serbe boshnjake për t’i lejuar të merrnin pjesë në ekskursione për të gjuajtur me armë, të cilat disa i quanin “turizëm snajperi”.

Gavazzeni tha se u frymëzua të hetonte këto pretendime pas shikimit të dokumentarit të vitit 2022 “Sarajevo Safari” nga regjisori slloven Miran Zupanic.

Gavazzeni tha se të huajt e pasur paguanin shuma të mëdha parash për të marrë pjesë. Ai tha se italianët zakonisht takoheshin në qytetin e Triestes para se të udhëtonin drejt Beogradit, ku ushtarët serbë boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat që shikonin mbi Sarajevë.

Hapja e hetimit italian në nëntor 2025 rriti shpresat e të mbijetuarve që përgjegjësit të dënoheshin.