Sokol Havolli, ish-drejtor i Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Komunën e Prishtinës, thotë se “njëherë” nuk ka çfarë të deklarojë rreth incidentit të para gati një jave ku u sulmua fizikisht nga biznesmeni Valon Ademi, në një lokal në qendër të Prishtinës.
Havolli, tek mesditën e së mërkurës ka reaguar shkurtimisht në insistimin e mediumit për t’i kuptuar rrethanat e ngjarjes.
“S’kam njëherë me deklaru asgjë për këtë çështje në media“, tha shkurt dhe me shkrim Havolli.
Për dallim nga Havolli, biznesmeni Ademi vazhdon të jetë i paqasshëm në thirrjet e mediumit.
“Rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhej në përgjigjen e Policisë.
Nga Prokuroria e Shtetit, të enjten, deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë deklaruar ende rreth hetimit.
Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur me të madhe muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.
Biznesmeni Ademi, deri në korrik të vitit 2019, kishte qenë Konsull i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Gjilan, me vendim të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Privilegjet diplomatike atij ia kishte ndërprerë ish-ministri Gent Cakaj, në një kohë kur biznesmeni kosovar përflitej në Shqipëri për akuza të falsifikimit të dokumenteve për një tender milionësh në Bashkinë e Kavajës.
Nga ana tjetër, Sokol Havolli që aktualisht është asamblist i zgjedhur në Komunën e Prishtinës, më herët ka qenë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Drejtor i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka qenë kandidat për deputet nga LDK, por që nuk ka arritur të sigurojë votat për një ulëse në Kuvend.
