Kosovë Lajme

Presidentja Osmani pritet të kundërshtojë sërish rritjen tarifave të energjisë elektrike

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pritet sërish të kundërshtojë tarifat e reja të energjisë elektrike, në rast se ZRRE-ja pritet të vendosë për rritjen e tyre.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net ka thënë se “qëndrimi i Presidencës do të mbetet i njëjtë, nëse ka ndryshime ose rritje të tarifave”.

“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim. Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, ka thënë Kupina.

Tri kompanitë që merren me energjinë elektrike në Kosovë – KOSTT-i, KEDS dhe KESCO ditëve kanë dorëzuar aplikimet e tyre duke kërkuar rreth 20% rritje të çmimit të rrymës në Kosovë.

ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar para fundit të muajit mars, ndërsa tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi më 1 prill.

ZRRE në prill të vitit 2025 mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%.

Presidenca e Kosovës atë kohë kishte kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.