Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të mërkurën paralajmëroi rritjen e energjisë elektrike për shkak të ndaljes së blloqeve të termocentraleve, deklaratë kjo që u kritikua nga ekspertë të energjisë.
Duke folur për kërkesën e KESCO-s për rritjen e çmimit të rrymës, Rizvanolli theksoi se ende nuk ka vendim përfundimtar, por ka pranuar se zhvillimet aktuale në sektor janë faktorë objektivë që mund të kenë pasoja edhe në tarifat për qytetarët.
“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektorin e energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vjet. Kjo do të thotë që për këto vite, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen; është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Rizvanolli.
Sipas ekspertëve, shtrenjtimi edhe më tutje i energjisë do të thellojë më tepër situatën për konsumatorët.
“Edhe paralajmërimi për rritje të energjisë diku në 21%, unë mendoj se edhe kjo është një element që do ta thellojë edhe më tepër situatën për konsumatorin, qoftë shërbyes anësor apo edhe bizneset ose prodhuesit”, tha Vezi Rexhepi, profesor i energjetikës, në emisionin FIVE në TV Dukagjini.
Edhe Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjisë, tha se duhet të mbahet në kontroll kostoja e furnizimit për shkak të mosekspozimit ndaj trendeve afatshkurtra.
“Çka neve na duhet është ta kemi në kontroll koston e furnizimit nga importet që na vijnë, ashtu që ne mos të ekspozohemi ndaj trendeve afatshkurtra të lëvizjeve në tregjet ekonomike evropiane”, tha Haxhimusa.
Ndërkaq, gazetari Fatlum Jashari vlerëson se ZRRE duhet t’i shqyrtojë të gjithë faktorët që të bëjë të mundur një ndikim sa më të vogël te qytetari.
“Mendoj që ZRRE duhet t’i shqyrtojë të gjithë faktorët në mënyrë që të bëjë të mundur një ndikim sa më të vogël, nëse jo të eleminojë tërësisht rritjen, dhe një zgjidhje tjetër që është e skajshme është edhe subvencionimi i qeverisë për të mos lejuar një rritje të faturës së qytetarit, që do të përcillej pastaj edhe me një rritje zinxhirore të të gjitha çmimeve, sic e kemi parë viteve të kaluara”, tha Jashari.
“Matematika e Sakrificës alla Vukvendosje”, e ka quajtur deklaratën e Rizvanollit, deputetja e zgjedhur e LDK-së Janina Ymeri.
“Matematika e Sakrificës alla Vukvendosje nga viti 2025 është: B2 nuk ka punu 154 ditë (gjysëm viti) dhe sot thuhet se ka 35MË shtesë. 35MË kemi pas mundësi shlirë me nji central me erë ose solarë me i kriju pa problem. Sa për kohën e modernizimit të B2 kemi pas mundësi me zëvendësu me plan vjetor të importit. Por jo! Tash duhet të paguajmë import që është bërë çdo ditë pa plan”, ka shkruar ajo të mërkurën.
Fillimisht KEDS i kishte propozuar ZRRE-së rritjen e tarifave prej 21%, por ZRRE para pak ditësh doli e tha se njëherë nuk do të ketë rritje të tarifave të rrymës.
