Botë Lajme

Bisedimet në Abu Dhabi, Rusia dhe Ukraina bien dakord për shkëmbim të burgosurish

Zyrtarët rusë dhe ukrainas përfunduan ditën e dytë të bisedimeve për paqe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, duke njoftuar një këmbim të ri të të burgosurve të luftës, por pa arritur ndonjë përparim tjetër në përpjekjet për të ndalur luftën.

Në një gjest të mirëbesimit, të dyja palët u pajtuan për një këmbim tjetër të të burgosurve të luftës, gjë që ka ndodhur kohë pas kohe gjatë gjithë luftës. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, që ka udhëhequr bisedimet, tha më 5 shkurt se në total 314 të burgosur do të lirohen.

“Përderisa ka ende shumë punë që duhet bërë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi diplomatik i vazhdueshëm po sjell rezultate konkrete dhe po avancojnë përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë”.

Përpara takimeve në Abu Dhabi, si zyrtarët rusë ashtu edhe ata ukrainas thanë se ka shenja optimizmi për dhënien fund të luftës, megjithatë pas ditës së dytë nuk pati reagime të menjëhershme. Mediat në Kiev raportuan se pala ukrainase ishte shprehur për bisedime konstruktive.

Pavarësisht raportimeve për përparim, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës me dronë dhe raketa. Në nisje të bisedimeve, Rusia kreu një nga sulmet më të mëdha ajrore që kur ka nisur lufta, duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe duke rënduar situatën për civilët në ditët e ftohta të dimrit.