Kosovë Lajme Politikë

Presidenca paralajmëroi ndjekje ligjore për gazetarin e FAZ, reagon Martens: Kam raportuar për oligarkë rusë e kriminelë serbë, e kurrë nuk jam paditur

Gazetari gjerman Michael Martens ka reaguar sërish përmes rrjetit social X, duke deklaruar se qëndron plotësisht pas artikullit të tij për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).

Martens ka shkruar pasi Presidenca paralajmëroi ndjekje ligjore ndaj tij.  Ai tha se gjatë karrierës së tij shumëvjeçare ka trajtuar çështje dhe figura shumë më të ndjeshme, pa u përballur ndonjëherë me padi.

“Jam në gazetari prej 30 vitesh. Kam jetuar dhe punuar në vende të vështira si Rusia, Afganistani apo Turqia, duke shkruar për oligarkë rusë, kriminelë lufte serbë, kontrabandistë malazezë të cigareve, rebelë kurdë dhe krerë lufte në Afganistan – pa u paditur kurrë. Por tani…”, ka shkruar Martens.

Reagimi i tij vjen disa orë pasi Presidenca e Kosovës ka kundërshtuar raportimin e FAZ-it, duke e cilësuar atë si shpifës dhe të pavërtetë.

Rinor Nuhiu, këshilltar i Osmanit ka thënë se Presidentja i hedh poshtë kategorikisht këto “pretendime shpifëse”.

Ai ka thënë se Osmani po konsultohet me avokatë në Gjermani për të përdorur të gjitha mjetet juridike.

“Shpifja dhe fyerja, akuzat e pabazuara dhe pretendimet e provueshme si të rreme nga Michael Martens (i njohur edhe si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman. Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformatave. Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve juridike për të mbrojtur integritetin e institucionit dhe të vendit që ajo drejton”, ka shkruar Nuhiu.

Artikulli pretendon se Presidentja Osmani po përpiqet të sigurojë një mandat të dytë përmes afërsisë demonstrative me familjen e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Në shkrim përmendet bashkimi i Kosovës në nismën globale të Trumpit, “Bordi i Paqes”, si dhe pretendohet se ky hap është ndërmarrë pa konsultim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Sipas artikullit, ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia hapi Osmanit rrugën drejt Trumpit, për shkak të lidhjeve të tij me familjen Trump përmes dhëndrit Jared Kushner.

Artikulli i FAZ-it pretendon gjithashtu se Osmani nuk e ka mbështetjen e shumicës së Kuvendit për një mandat të dytë dhe se, si alternativë, po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”. Sipas shkrimit, ky kalkulim politik mund të dështojë.