Kosovë Lajme

FAZ-i gjerman e “godet” Osmanin: Po e luan rolin e “kandidates së Trumpit”, e gatshme të bëjë gjithçka për karrierë

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka shkruar në numrin e të mërkurës se si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke shikuar që duke demonstruar afërsinë me familjen presidenciale të SHBA-së ta fitojë edhe një mandat si presidente e vendit.

Gazetari i FAZ-it, Michael Martens ka shkruar se si Osmani, duke iu afruar familjes së Donald Trumpit, po shikon ta sigurojë rizgjedhjen e saj si presidente e Kosovës.

“Por, kalkulimi i saj mund të dështojë – edhe pse ajo arriti që Kosovën ta bëjë një nga shtetet që së fundmi në Davos iu bashkuan ‘Bordit të Paqes’ enigmatik të Donald Trumpit”, ka shkruar FAZ. “Osmani u shfaq në Zvicër me krenari krah presidentit amerikan dhe që atëherë flet për arritjen e madhe që, sipas saj, përfaqëson fakti se vendi i saj u bë anëtare themeluese e këtij formacioni”.

FAZ ka shkruar se si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi. 
“Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, ajo e ndërmori këtë hap pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përkundrazi, thuhet se ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi”, ka shkruar “FAZ”.

Gazeta gjermane ka treguar se si Rama ka qasje te familja presidenciale e SHBA-së pasi ia ka dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, lejen për një projekt shumë miliardësh të pasurive të paluajtshme në ishullin e Sazanit. E po ashtu ka shkruar si Rama po shikon ta forcojë Osmanin si rivale të Kurtit.

“Kryeministri shqiptar nuk e duron Kurtin, udhëheqësin politik më popullor të shqiptarëve në Ballkan. Prandaj ai shfrytëzon çdo rast për ta forcuar Osmanin si rivale të Kurtit”, ka shkruar FAZ.

Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin. FAZ ka treguar se si Osmani në mungesë të përkrahjes së brendshme po tenton të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”.

“Osmani po e luan lojën e saj…Ajo synon një mandat të dytë dhe për këtë i nevojitet mbështetja e Parlamentit të Kosovës, deputetët e të cilit e zgjedhin kreun e shtetit. Por, këtë mbështetje nuk e ka. Gjatë viteve të fundit nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të gjerë në Parlament. Në Prishtinë ajo përshkruhet si e vështirë në aspektin personal. Shumë bashkëpunëtorë të afërt, si ish-shefi i kabinetit të saj Blerim Vela, nuk kanë qëndruar gjatë pranë saj”, ka shkruar FAZ. “Si zëvendësim për mungesën e mbështetjes së brendshme, Osmani prej javësh po përpiqet të paraqitet si ‘kandidatja e Trumpit’. Kalkulimi është ky: SHBA-ja për Kosovën – jo vetëm përmes bazë ushtarake Bondsteel në jug të vendit, por përmes gjithë historisë së shtetit të ri – është një faktor aq i rëndësishëm, sa që ky etiketim mund t’ia sigurojë rizgjedhjen përndryshe tejet të pasigurt”.

FAZ ka thënë se një bashkëbisedues i mirë informuar në Prishtinë ka treguar se si Osmani në mënyrë indirekte “kërcënon” me Trumpin.

“Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizigjdhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në”, ka shkruar FAZ. “Disa vite më parë një kalkulim i tillë edhe mund të kishte funksionuar”.

FAZ ka shkruar se si Kosova është shteti më pro-amerikan në botë, porse edhe në Kosovë është vënë re se Washingtoni i Trumpit nuk është më ai i Bill Clintonit dhe George W. Bushit.

FAZ ka shkruar se si dëshmi që karta amerikane nuk fiton domosdoshmërish është suksesi i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Vetëvendosje mori 51.1 për qind të votave.

“Fitorja është edhe rezultat i mbështetjes së fortë nga kosovarët e shumtë që jetojnë jashtë vendit, por kjo nuk ishte arsyeja e vetme që vendosi”, ka shkruar FAZ. “Dominimi i ‘Vetëvendosjes’ është i veçantë edhe për faktin se marrëdhëniet e Kurtit me Trumpin nuk janë të mirë. Kurti e ka mbështetur hapur Joe Bidenin gjatë fushatës zgjedhore në SHBA dhe në vitin 2024 kishte marrë pjesë në mënyrë demonstrative në konventën e Partisë Demokratike në Chicago. Pas fitores së Trumpit, kjo ishte gjithçka tjetër veçse e dobishme për Kosovën”.

FAZ ka shkruar se si në shtator SHBA-ja e pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën dhe se si Ambasada Amerikane në Kosovë si fajtor e përmendi shprehimisht Kurtin.

“Për partitë opozitare kosovare kjo ishte ndihmë perfekte për fushatën. Ato trumbetonin sërish se Kurti po rrezikonte marrëdhëniet e Kosovës me mbrojtësen e saj më të rëndësishme. Por, rezultati zgjedhor tregon se kjo retorikë nuk funksionon më si dikur. Një shumicë absolute i beson Kurtit, i cili konsiderohet personalisht si i ndershëm dhe i pa korruptuar”, ka shkruar FAZ.

FAZ ka shkruar se kjo edhe e vë nën dyshim nëse Osmani do të ketë sukses me manovrat e saja.

“Nisma e Osmanit në Davos u prit me reagime të përziera. Kishte edhe mirëkuptim për të. Kosova, edhe më pak se shtetet tjera të vogla në Evropë, mund ta përballojë rrezikun për ta zemëruar Washingtonin. Një tërheqje e ushtarëve nga baza Bondsteel, është, në njëfarë mënyre, bomba atomike e kërcënimeve politike në Kosovë. ‘Bondsteel’ shihet si një lloj sigurimi jetësor kundër rrezikut të kthimit të Serbisë dhe Ushtrisë serbe”, ka shkruar FAZ.

FAZ ka treguar se si gjatë mandatit të parë të Trumpit, i dërguari i atëhershëm i presidentit amerikan, Trump, Richard Grenell, kishte kërcënuar me mbylljen e Bondsteelit dhe se si koalicioni qeverisës i atëhershëm VV-LDK ishte shembur përballë këtyre kërcënimeve.

“Prandaj në Kosovë ka edhe zëra që në veprimet e Osmanit nuk shohin vetëm servilizëm, por realizëm të zgjuar politik”, ka shkruar FAZ. “Por, kjo nuk vlen për hapa të tjerë të presidentes dhe rrethit të saj. Kështu, që një nismë e bashkëshortit të Osmanit, Prindon Sadriu, një diplomat karriere me ambicie të mëdha, u prit me shumë tallje. Sadriu i kishte propozuar Trumpit në platformën X që ish-‘Hotel Grandi’ në Prishtinë, një rrënojë shumëkatëshe nga koha e Jugosllavisë në qendër të qytetit, të shndërrohej në një ‘Hotel Trump’”.

Po ashtu FAZ ka folur për reagimet që mori vendimi i presidentes Osmani për të organizuar një pritje të madhe për premierën në Prishtinë të dokumentarit “Melania” të bashkëshortes së Trumpit, Melania Trump.

“Filmi, thuhej, ishte shfaqur me sukses të madh në Kosovë ‘dhe bëri bashkë artistë, yje si dhe miq të Kosovës dhe SHBA-së për të përjetuar një paraqitje të guximshme të familjes presidenciale amerikane’ dhe ‘forcës së jashtëzakonshme udhëheqëse me ndikim’ të Melania Trumpit”, ka shkruar FAZ. “Deklarata të tilla të Osmanit u kritikuan nga shumë kosovarë, në rastin më të mirë  u quajtën të panevojshëm e nga disa ajo u quajt si servile apo pa shtyllë kurrizore”.

FAZ ka shkruar se pati veçanërisht reagime se si u bë një ngjarje e tillë në kohën kur dokumentet për të akuzuarin për krime seksuale me vajza të mitura, Jeffrey Epstein, kanë përmendur edhe presidentin aktual amerikan Trump. Madje edhe regjisori i filmit “Melania”, Brett Ratner, ka pasur lidhje me Epsteinin dhe se ka fotografi si dëshmi për këtë, ku shihet ai me Epsteinin në përqafim të shoqëruesve shumë të reja.

FAZ ka treguar se si Osmani në një intervistë në vitin 2019, dhënë për mediumin gjerman, kishte thënë se si për të është e rëndësishme që në fund të mandatit të lë mesazhin se “asnjë vajzë apo grua në Kosovë të mos besojë më se është në ndonjë mënyrë inferiore”.

“Në përpjekjen e saj për një mandat të dytë, Osmani këto ditë po u tregon shumë kosovarëve se ajo vërtetë mund të bëjë gjithçka që bëjnë burrat – edhe të jetë pa shtyllë kurrizore për hir të karrierës politike”, ka shkruar FAZ.

Gazetari i FAZ-it, Michael  Martens, edhe ditë më parë akuzoi presidenten Vjosa Osmani për devijim nga përfaqësimi i interesave të shtetit, duke marrë për bazë premierën e dokumentarit “Melania” nën organizimin e Presidencës së Kosovës.

“A ia ka bërë ndonjëherë ndokush me dije presidentes në largim të Kosovës se ekziston një ndarje midis përfaqësimit të interesave legjitime të një shteti dhe prostitucionit intelektual vetëdegradues? Zonja Osmani nuk duket të jetë e vetëdijshme për këtë ndarje”, shkroi Martens të shtunën në “X”.

Ndaj kësaj më vonë reagoi Rinor Nuhiu, këshilltar i presidentes. Ai e quajti të neveritshëm deklarimin e Martensit.

“Kjo tregon gjithçka për ju dhe mendësinë tuaj të kalbur e vulgare. Kjo është e pështirë. Duhet të keni turp nga vetja”, shkroi ai.