Dokumente të reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregojnë se financieri dëshironte të blinte ndërtesën e ish-ambasadës jugosllave në Nju Jork, e njohur si “Vila e Titos”.
Mes dokumenteve të reja, të cilat u publikuan disa ditë më parë, u gjet një email që Epstein mori, me 26 foto të kësaj vile, si dhe një pjesë nga New York Post me titullin: “Me 50 milionë dollarë mund të bëheni pronar i vilës së fundit nga epoka e artë e Manhattanit”.
Më 10 dhjetor 2018, Epstein mori një email nga këshilltari financiar David Mitchell, i cili e informonte se kishte ndodhur një zjarr në këtë ndërtesë dhe se mund të ishte momenti i duhur për të bërë një ofertë.
Më pas, financieri dërgoi një lidhje nga New York Post në dy adresa emaili, ku thuhej se kishte ndodhur zjarri dhe ata e informonin se ndërtesa tani duhej të ishte dukshëm më e lirë. Megjithatë, Epstein në fund nuk e bleu vilën. Ajo u shit katër vjet më vonë për 50 milionë dollarë, ku Serbisë i takuan 40 për qind e parave sipas Aneksit B të Marrëveshjes së Suksesionit të Pasurisë së ish-SFRJ-së jashtë vendit. Bosnjë dhe Hercegovinës i takuan 7.5 milionë dollarë, ndërsa të tjerat u ndanë për Kroacinë, Slloveninë dhe Maqedoninë e Veriut.
Është interesante se gjatë përpjekjes për të blerë këtë ndërtesë, Epstein kontaktoi edhe ish-emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ishte më 25 tetor 2017, kur Epstein i dërgoi një SMS Lajçakut:
“Ota, shkova të shoh ish-ambasadën jugosllave. Më thanë se është në shitje, por të gjitha pesë qeveritë duhet të bien dakord – Serbia dhe të tjerat. Interesante”, tha Epstein.
Lajçak u përgjigj:
“Nuk do të bien kurrë dakord. Po përpiqen të pajtohen për ndarjen e pasurisë që nga viti 2001 dhe nuk shihet fundi. Duhet të konsultohesh me mua për gjithçka që ka të bëjë me ish-Jugosllavinë ose tani vendet trashëguese, i njoh në thelb”.
Lajçak përmendet shpesh në dosjet e Epsteinit, dhe disa ditë më parë dha dorëheqje nga pozicioni i këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico për këtë arsye.
