Kosovë Lajme

Përfshirja e Lajçakut në dosjet “Epstein”, BE thotë se nuk ka ndikuar në dialogun Kosovë-Serbi

Përfshirja e ish-ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në dosjet e njohura si “Epstein”, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka komprometuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka deklaruar se këto zhvillime nuk kanë pasur ndikim në dialogun ndërmjet palëve.

“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikëqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare”, tha Hipper.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Miroslav Lajçakut përmendet qindra herë. Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet e tij me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale.

Dokumentet përmendin edhe biseda që lidhen me gra dhe vajza të reja, të cilat, sipas tyre, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.

Në një nga komunikimet, Lajçak shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.

Fillimisht, Lajçak kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epstein, por më pas u detyrua të dorëhiqej nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi u publikuan prova që dëshmonin të kundërtën.

Për më shumë se dy dekada, Miroslav Lajçak ka qenë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian. Dialogun Kosovë–Serbi e ka menaxhuar për rreth pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025, ndërsa gjatë kësaj kohe është përballur shpesh me akuza për njëanshmëri në proces.