Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit në regjionin e Gjilanit.
Në njoftim thuhet se më 20 janar 2026, prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të evidentojë çdo rast të mundshëm të falsifikimit apo ndryshimit të rezultateve zgjedhore, bazuar në prova të pranuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.
Më 3 shkurt 2026, policia është autorizuar të intervistojë të dyshuarit, fillimisht në Komunën e Vitisë, ku sipas rinumërimit është evidentuar ndryshim më i madh i rezultateve.
Sipas prokurorisë, në komunat e tjera të regjionit nuk ka dallime të theksuara mes rezultateve fillestare dhe atyre pas rinumërimit, përveç një kandidati me minus 145 vota. Hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në të gjitha komunat përkatëse.
Njoftim për media lidhur me keqpërdorim të votave gjatë procesit të numrimit në regjionin e Gjilanit:
Gjilan, 03 shkurt 2026: Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, më datë 20.01.2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës që të evidentojë çdo keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor apo ndonjë mënyrë tjetër të falsifikimit apo ndryshimit të rezultateve, qoftë në favor apo në dëm të subjektit të caktuar apo kandidatëve të caktuar për deputet dhe përkitazi me këtë dyshim, të sigurohen prova konkrete, të cilat i kemi pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 02.02.2026.
Me datë 03.02.2026 kemi autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë ka pasur më tepër ndryshim në rezultat sipas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet e të dyshuarve janë duke vazhduar akoma.
Ju njoftojmë se në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave (vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër) siç ka rezultuar në komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër.
Prokuroria Themelore në Gjilan mbetet e përkushtuar të hetojë dhe të vejë para drejtësisë çdo person i cili ka keqpërdorur qoftë edhe një votë në rezultatin zgjedhor me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.
