Kosovë Lajme Politikë

E pritshme/ PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosshpallje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për këtë subjekt politik dhe kandidatëve të saj. PZAP-ja ka thënë se ankesa e Listës  Serbe është e  bazuar.

“Paneli, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZP, nenin 101 paragrafi 16, nenin 106 paragrafi 3, nenin 111 të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, si dhe nenit 9 paragrafi 2 të Rregullores Zgjedhore Nr.13/2024 Rezultatet Zgjedhore”, thuhet në vendim.

Tutje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka theksuar se nuk pajtohet me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos shpalljen e rezultatit përfundimtar për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me 28 dhjetor 2025, për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj.

PZAP vlerëson se ky vendim është і pajustifikuar dhe në kundërshtim të plotë me dispozitat ligjore të sipër cekura, “kjo për faktin se duke pas parasysh se kanë përfunduar të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të 3 gjitha subjektet politike, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim”.

Sipas PZAP-së çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.

“Andaj ky vendim është ne kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, thuhet në vendim.

Ndaj vendimit palët kanë të drejtë ankese brenda afatit 48-orësh në Gjykatën Supreme.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.

Vendimin e KQZ-së e kritikuan ndërkombëtarët.