Kosovë Lajme

Deklarimet përmbyllëse në Hagë, Specialja: Do të vlerësohet pesha dhe besueshmëria e dëshmitarëve dhe provave

Gjykata Speciale ka publikuar një video përmbledhese të procesit të gjykimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, që nga konfirmimi i aktakuzës e deri tek paraqitja e dëshmitarëve.

Deklarimet përmbyllëse nga mbrojtja do të bëhen nga data 9 shkurt, dhe më pas gjyqtarët do të fillojnë vlerësimet e tyre konfidenciale. Në njoftimin e Speciales theksohet se do të vlerësohet pesha dhe besueshmëria e secilit prej dëshmitarëve dhe secila pjesë e provave që janë ofruar.

“Fjalët përfundimtare në gjyqin Thaçi etj do të fillojnë më 9 shkurt”, ka njoftuar Specialja.

Fillimisht më 9 shkurt do të jetë deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, për të vazhduar edhe më 10 shkurt bashkë me deklaratën përmbyllëse të Mbrojtjes së Viktimave.

Më 11 shkurt do të jetë Deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit, për të vazhduar ky i fundit edhe më 12 shkurt. Në po të njëjtën ditë do të jetë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Selimit e cila vazhdon edhe të premten e 13 shkurtit, ku vazhdon edhe ajo e Jakup Krasniqi. Poashtu ky i fundit do të vazhdojë edhe më 16 shkurt.

Në po të njëjtën ditë do të ketë edhe pyetje nga Trupi Gjykues.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.