Botë Lajme

Bill Clinton dhe Hillary pranojnë të dëshmojnë për Epstein, shmanget vota për shpalljen në përbuzje të Kongresit

Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në hetimin kongresional për financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Vendimi vjen vetëm pak ditë përpara një vote të paralajmëruar për t’i shpallur Clintonët në përbuzje penale të Kongresit, pas refuzimit të tyre disa mujor për t’u paraqitur para komitetit.

Lajmi u konfirmua mbrëmjen e së hënës nga zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, i cili deklaroi në rrjetin X se ish-presidenti dhe ish-Sekretarja e Shtetit do të paraqiten për të dëshmuar dhe janë të gatshëm “të vendosin një precedent që vlen për të gjithë”.

Sipas Clintonëve, ata i kanë dhënë më herët komitetit deklarata nën betim dhe kanë ofruar gjithë informacionin e kufizuar që disponojnë mbi Epstein. Ata kanë akuzuar drejtuesit e komitetit se po e përdorin hetimin për qëllime politike dhe për të sulmuar rivalët.

Komiteti i Mbikëqyrjes, i drejtuar nga republikanët, kishte miratuar muajin e kaluar masën për shpalljen e tyre në përbuzje të Kongresit, me mbështetjen edhe të disa demokratëve.

Bill Clinton ka pranuar se ka pasur njohje me Epstein dhe ka udhëtuar me avionin e tij privat në vitet 2002–2003, por ka mohuar çdo dijeni për veprimtarinë kriminale të Epstein dhe ka deklaruar se ka ndërprerë kontaktet me të më shumë se dy dekada më parë. Ai nuk është akuzuar kurrë për shkelje nga viktimat e Epstein.

Dëshmia e Clintonëve do të shënojë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një komiteti të Kongresit që nga viti 1983, kur një veprim të tillë e kreu Gerald Ford.