Kosovë Lajme Politikë

Dyshimet për keqpërdorim të votave në Malishevë, ndalohet për 48 orë edhe një kryesues

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në komunën e Malishevës.

Sipas Prokurorisë, më 28 janar 2026 nuk ishte siguruar prezenca e kryesuesit të komisionit për intervistim. Sot, më 2 shkurt 2026, prezenca e tij është siguruar dhe pas veprimeve procedurale, prokurori i shtetit ka vendosur ndalimin e tij për 48 orë.

Prokuroria ka paraqitur kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Më datën 29 janar, Gjykata Themelore në Gjakovë, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesëmbëdhjetë (15) personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Malishevë, e vendosur në palestrën e sporteve “Habib Zogaj”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Në komunën e Malishevës gjithsej kanë qenë 75 vendvotime, dhe nga këto vendvotime 9 mijë e 57 vota janë të shtuara dhe 7 mijë 996 janë vota të hequra, pra në total janë 17 mijë e 53 vota.