Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj vendit të tij do të shkaktojë një konflikt rajonal, teksa Shtetet e Bashkuara po shtojnë praninë ushtarake në rajon.
“Amerikanët duhet të dinë se nëse fillojnë një luftë, këtë herë do të jetë një luftë rajonale,” citohet të ketë thënë Khamenei nga agjencia semi-zyrtare Tasnim.
Presidenti amerikan Donald Trump tha më parë se Irani po zhvillon “bisedime serioze” dhe shpresonte që ato të çonin në një marrëveshje “të pranueshme”.
Ndërsa Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për CNN se është “i bindur se mund të arrihet një marrëveshje” për programin bërthamor të Teheranit, megjithëse shtoi se besimi në SHBA si partner negociues është i humbur.
Si pjesë e përforcimit të forcave të saj, SHBA ka dërguar në rajon anijen gjigante USS Abraham Lincoln, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se operon në Detin Arabik. Khamenei theksoi se populli iranian nuk duhet të trembet nga këto veprime.
Iranit i ishte parashikuar të nisë një ushtrim dy-ditor naval në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit global të energjisë, por një zyrtar iranian tha të dielën për Reuters se Ushtria Detare e Gardës Revolucionare nuk kishte plane për këtë ushtrim.
Ngushtica e Hormuzit kalojnë rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë, dhe Irani ka kërcënuar më parë se do ta mbyllte atë në rast sulmi, raporton BBC.
Në anën tjetër, dy shpërthime në Iran gjatë fundjavës rritën tensionet: një shpërthim në Bandar Abbas la të vdekur një person dhe plagosi 14 të tjerë, ndërsa në Ahvaz u raportuan të paktën katër viktima. Autoritetet iraniane i atribuojnë shpërthimet rrjedhjeve të gazit.
Trump ka thënë se për të shmangur veprime ushtarake, Irani duhet të bëjë dy gjëra: të ndalojë zhvillimin bërthamor dhe të ndalojë vrasjet e protestuesve. Organizata të të drejtave të njeriut thonë se prej fillimit të protestave në dhjetor janë vrarë mbi 6,300 persona, dhe shifrat reale mund të kalojnë 25,000.
Khamenei akuzoi protestuesit për sulme ndaj policisë, Gardës Revolucionare dhe institucioneve të ndryshme, duke deklaruar se “grushti i shtetit u shtyp”.
