Botë Lajme

Dosjet e reja të Epstein, ai thuhet se donte të blinte një anije ushtarake kroate

Në dokumentet më të fundit të publikuara për shkelësin seksual Jeffrey Epstein është zbuluar se ai, në vitin 2014, kishte dëshirë të blinte anijen ushtarake Olimp M-46.

Sipas dokumenteve të publikuara, lidhja për blerjen e kësaj anijeje ishte Boris Nikolić, një mjek nga Kroacia që kishte punuar për themeluesin e Microsoft-it, Bill Gates, raporton Klix.ba, përcjell KFVAgency.com

Sipas e-mail-eve, Nikolić e kishte lidhur Epstein-in me Zoran Kovačin, i cili iu prezantua Epstein-it si “një njeri që merret me shitblerjen e anijeve”.

Zoran Kovač është ndërtues dhe drejtor i kompanisë Sigma Stan, e cila merret me ndërtimin e objekteve luksoze të banimit në Zagreb dhe Zadar.

Në dokumentacion gjendet edhe një fletë informuese për mjetin lundrues Olimp M-46, i cili i ishte ofruar Epstein-it si një version më i mirë i anijes që ai kërkonte. Ai ishte zhvilluar në Institutin Detar në Zagreb.

Edhe pse nga dokumentet nuk është plotësisht e qartë se kush ishte shitësi zyrtar, Kovač në disa e-mail-e kishte deklaruar se bëhej fjalë për një “rreth të mbyllur njerëzish”.

Kur u gjet anija që Epstein dëshironte të blinte, pesë vjeçare, u theksua se ajo “nuk shitet për qëllime civile”, por se do të “bëhej një përjashtim” pasi blerësi ishte nga SHBA-ja.

Në disa e-mail-e pasuese, Epstein kërkoi nga Kovač informacione shtesë, ndërsa bashkëbiseduesi nga Kroacia e nxitte duke thënë se “ekziston interes nga ushtria greke”.

Në një nga e-mail-et, Kovač shkruan se “po e thërrasin njerëz nga ushtria”, pas së cilës pritej finalizimi i shitjes. Anija u dërgua në ishullin St. Thomas, i cili ndodhet pranë ishujve në pronësi të Epstein-it.

Megjithatë, në atë moment lindën komplikime, pasi Kovač përfshiu një kompani zvicerane të paemërtuar, ndërsa Epstein u pyet se cilat do të ishin kostot shtesë për blerjen e anijes.

Në fund, Kovač i dërgoi Epstein-it një e-mail të gjatë, në të cilin kërkonte konfirmim se do ta blinte anijen, duke thënë se nuk i dinte cilat do të ishin shpenzimet shtesë. Epstein u përgjigj duke thënë që “ta harrojë gjithçka”, dhe blerja e këtij mjeti lundrues nuk përmendet më në dokumente.