Anëtarë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur sonte një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste kundër mungesës së energjisë elektrike dhe paralajmërimit për rritjen e radhës së çmimit të saj.
Gjatë këtij aksioni, Rinia Demokratike e Kosovës ka vendosur para ndërtesës së Qeverisë një batanije dhe disa qirinj, si simbol i pakënaqësisë ndaj deklaratave provokuese dhe të papërgjegjshme të kryeministrit në detyrë, i cili ka fajësuar qytetarët për krizën energjetike, duke pretenduar se “po ngrohen më shumë sesa që duhet”.
Në deklaratën e tij për media, sekretari i RDK-së, Altin Gjata, theksoi se ky aksion nuk ka të bëjë me statistika apo propagandë, por me realitetin e përditshëm të qytetarëve të Kosovës.
Ai theksoi se kriza energjetike dhe faturat gjithnjë e më të papërballueshme po i detyrojnë familjet kosovare të zgjedhin mes ngrohjes dhe ushqimit, ndërsa studentët detyrohen të mësojnë në terr. Sipas tij, pyetja që sot shtrohet nga qytetarët është e thjeshtë dhe e drejtë: edhe sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike?
Gjata kritikoi ashpër Qeverinë për bllokimin e qindra milionë eurove investime në energji të pastër dhe për dështimin në sigurimin e prodhimit vendor të mjaftueshëm, duke theksuar se kjo nuk është krizë dimri, por krizë menaxhimi dhe papërgjegjësie.
Ai shtoi se, ndonëse u premtua modernizim historik i KEK-ut, sot ky institucion prodhon më pak, importet janë rritur dhe përfitimet po shkojnë tek të preferuarit e pushtetit.
“Faturën e kësaj krize po e paguajnë familjet tona dhe çdo qytetar i Kosovës”, u shpreh Gjata, duke shtuar se batanija dhe qirinjtë e vendosur para Qeverisë janë një “dhuratë” simbolike për kryeministrin në detyrë, i cili nuk e ndien barrën e faturave mujore dhe të ngrohjes së familjes.
Në fund, Rinia Demokratike e Kosovës theksoi se energjia elektrike është shërbim bazë dhe jo biznes për të lidhurit me pushtetin. Ata shtuan se qytetarët meritojnë dritë, ngrohje e siguri dhe se nuk do të heshtin përballë kësaj gjendjeje.
“Edhe sa, Albin? Edhe sa përqind do të rritet rryma?”, ishte mesazhi përmbyllës i këtij aksioni simbolik.
