Dy dikastere të rëndësishme të Qeverisë, ai i Bujqësisë dhe i Shëndetësisë, dyshohet se janë udhëhequr në mënyrë të kundërligjshme nga të zgjedhurit e Albin Kurtit. Faton Peci, ish-ministër i Bujqësisë, e Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë, janë intervistuar nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për korrupsion.
Faton Peci është intervistuar sot (e premte), kurse ministria Vitia gjatë kësaj jave. Peci, i sapo zgjedhur kryetar i Komunës së Mitrovicës, po dyshohet për dallavere me “grantet”. Ai është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit nga prokurorët special.
“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, ka njoftuar sot Prokuroria.
Duke pasur drejtimin e ministrisë së Bujqësisë, Peci dyshohet se ka keqpërdorur qindra mijëra euro përmes ndarjes së granteve.
Sipas denoncimeve që erdhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë grant në vlerë rreth 100 mijë euro kompanisë “Alda Farm Ria” në pronësi të Blerim Pacolli, vëllait të ish-kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacolli.
Prokuroria Speciale ka intervistuar si të pandehur edhe deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në lidhje me grantet e Ministrisë së Bujqësisë. Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.
Pacolli ishte Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Afera e granteve ishte thelluar pas refuzimit të aplikacionit për grant të Kooperativës Bujqësore “Krusha”, në pronësi të Fahrije Hotit, simbolit të grave të fshatit Krushë të Prizrenit dhe njërës prej 200 grave që humbën bashkëshortët ose djemtë gjatë luftës.
Në mesin e përfituesve me grante, sipas denoncimeve nga LDK, ishte edhe Kushtrim Nimoni, djali i axhës së Genc Nimonit, shefit të kabinetit të ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përpos Faton Pecit, Prokuroria Speciale gjatë kësaj jave ka intervistuar edhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në një prononcim për media të premten, ministria Vitia e ka pranuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Vitia tha se për momentin nuk mund të japë detaje lidhur me këtë çështje, por theksoi se shumë shpejt gjithçka do të sqarohet si nga Prokuroria Speciale, ashtu edhe nga ana e tij.
“Nuk muj të flas njëherë, por besoj se shumë shpejt kjo çështje do të sqarohet edhe nga Prokuroria Speciale, edhe nga ana ime”, ka thënë Vitia.
