Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ka “rënie të theksuar” të largimit të mjekëve nga vendi dhe të numrit të kërkesave të pacientëve për shërim jashtë vendit, ndonëse nuk ka ofruar ndonjë statistikë që dëshmon këtë.
SIpas tij, kjo dëshmon përmirësimin e kushteve të punës për profesionistët shëndetësore dhe të shërbimeve për qytetarët.
Deklarata e tij vjen pas një takimi që ka zhvilluar në Odën e Mjekëve, bashkë me Ministrin ë detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë.
“Zhvillim tjetër pozitiv është gjithashtu fakti se në gjashtë muajt e fundit Oda e Mjekëve ka licencuar rreth 50 mjekë nga radhët e komunitetit joshumicë serb, që tregon vullnet të mirë dhe gatishmëri për integrim në sistemin tonë të shëndetësisë dhe shërbim ndaj pacientëve pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
Sfidë ka thënë se mbetet pensionimi i rreth 1 mijë e 600 mjekëve në 10 vitet në vijim, nga 5 mijë e 500 sa janë të licencuar aktualisht.
“Për këtë na duhet bashkëpunim i ngushtë me Odën dhe planifikim i mirë i Ministrisë së Shëndetësisë për zëvendësim të duhur me mjekë të rinj, në fusha sipas kërkesave dhe në komuna që kanë nevojë”, ka thënë Kurti.
Sipas statistikave që kishte ofruar Oda e Mjekëve në dhjetor të vitit 2025, vendin e kishin lëshuar rreth 90 mjekë e 192 infermierë.
“Statistika nuk janë të sakta asnjëherë për arsyen se koha e liberalizimit të vizave ka lehtësuar kushtet dhe rrethanat që lëvizja e lirë të ndodhë. Megjithatë, në krahasim me vitet e tjera është trendi në rënie, por nuk është ndonjë diferencë e madhe, është duku rreth 20 më pak. Këtë vit kanë kërkuar certifikatë të sjelljes së mirë në Odën e Mjekëve rreth 90 mjekë”, kishte deklaruar Naser Gjonbalaj nga Oda e Mjekëve.
