Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, foli për zgjedhjen para të cilës janë delegatët e LDK-së këtë të shtunë, ku Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti do të jenë kandidatë për kreun e partisë. Mustafa tha se rezultati i zgjedhjeve duhet të ketë pasoja.
Mustafa tha se çështjet e rëndësishme në LDK nuk duhet të zgjidhen përmes deklaratave dhe tifozllëkut nëpër studio e postime në rrjete sociale, por në Kuvendin e kësaj partie
Gjithashtu, ish-kryetari i partisë tha se LDK-ja vjen para çdo emri të përveçëm, meqë i vetmi emër me të cilin identifikohet ajo është sigurisht Ibrahim Rugova.
”Përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”, tha Mustafa, në një thumb si duket për ata që po vrapojnë pas Lumir Abdixhikut.
Ish-kryeministri tha se reformat në LDK duhet të kryhen nga të gjithë ata që i qëndruan besnikë kësaj partie dhe jo të ketë ndarje në të rinjtë e të vjetrit. Por, ai kërkoi përgjegjësi për rezultatin.
”Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë”, shkroi në fund Mustafa.
Përkundër rezultatit të tmerrshëm prej vetëm 13% në zgjedhjet e fundit, Abdixhiku sërish po synon të qëndrojë në krye të partisë duke mos dhënë dorëheqje të parevokueshme. Përkundrazi, ai ka kërkuar një lloj votëbesimi nga delegatët e partisë me qëllim që të rrijë ende si kryetar.
