Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prizren, të premten ka mbajtur 3 seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, keqpërdorimi i detyrës apo autoriteti zyrtar.
Siç njofton Gjykata, ndaj 4 të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H:P., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit të pestë, N.B., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 28.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale, “keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar”.
Se a do të argumentohen këto fakte, Gjykata thotë se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Këto vendime janë vazhdimësi e rastit të trajtuar me datë 24 janar 2026, kur ndaj njëzetetre të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit lidhur me veprat penale kundër të drejtës së votimit.
