Në vend se të punojë e të japë farë zgjidhje për trajektoren e pandalshme të shtrenjtimit të rrymës, kryeministri Albin Kurti vendosi të tallet mbrëmë me qytetarët, duke i kritikuar për ngrohjen në muajt e ftohtë të dimrit.
ZRRE-ja mori dje propozimin nga KESCO që rryma në Kosovë të shtrenjtohet për 21%, duke shënuar kështu shtrenjtimin e katërt të energjisë elektrike brenda mandatit të Albin Kurtit.
Por, kreu i VV-së nuk dukej fort i shqetësuar nga ky shtrenjtim. Ai tha se qytetarët duhet ta menaxhojnë ngrohjen me rrymë.
“Duhe me menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë. Përveç asaj që ne ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç’është normale. Kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”, tha Kurti.
KESCO ka aplikuar në ZRRE për rritje çmimi të energjisë me 21.4% për 2026, duke kërkuar të hyra lejuara prej 528.78 milionë euro (nga 435.93 milionë në 2025).
Kompania justifikon rritjen me varësinë nga importi (9% e energjisë, por 29% e kostove), rehabilitimin 8-mujor të Kosova B1 që kufizon prodhimin vendor, “faktorin korrigjues” prej 49.5 milionë eurosh për humbjet e 2025-s, shpenzimet operative të rritura nga inflacioni dhe liberalizimi i tregut, si dhe rritjen e pritshme 20% të tarifave të rrjetit.
