Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur në lidhje me kompaninë nga Gjilani që po pretendon se ndërton dronë ushtarak, e të cilën Kurti gjatë fushatës e kishte vizituar.
Kurti para mediave ka thënë se se nuk mund t’i dijë të gjitha detajet për çdo kompani që ka vizituar. Megjithatë, ai tha se “është i hapur të dëgjoj kritikat kur diçka nuk ka qenë siç i është prezantuar.
“Unë kam vizituar me qindra kompani anembanë Kosovës gjatë këtyre katër viteve. Nuk mund të them se i di të gjitha hollësitë e secilës kompani, mirëpo natyrisht jam i hapur të dëgjoj edhe kritikat atëherë kur diçka nuk ka qenë ashtu siç më është prezantuar. Por Megjithatë, duhet ta keni parasysh kur vije te aspektet e hollësishme dhe profesionale, nuk mund ta di paraprakisht se cilat janë ato saktësisht në secilën kompani”, tha Kurti para mediave.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kurti kishte bërë të ditur se në Gjilan kishte vizituar kompani që, sipas tij, prodhojnë dronë ushtarakë “Skifteri”, si dhe dronë civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.
Ndërkaq, para disa ditësh, një person me emrin Rdivan Aliu, i cili prezantohet si pronar i kompanisë “Future Minds Academy”, publikoi dy video në profilin e tij në Facebook, ku pretendonte se kompania e tij, në bashkëpunim me partnerë, po prodhon dhe shet dronë ushtarakë, të cilët, sipas tij, janë testuar dhe kanë rezultuar shumë efikasë.
Por, sipas raportimeve të mëvonshme mediatike, videot e publikuara për testimin e dronëve rezultuan të jenë materiale të marra nga kompani kineze, ku shfaqeshin testime të dronëve të prodhuar nga ato kompani, e jo nga ndonjë prodhim vendor në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes së Kosovës reagoi duke thënë se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë testim të dronëve me emrin “Skifter K1”, apo të ndonjë droni tjetër.
Ministria ka bërë të ditur se, bazuar në njohuritë e saj, asnjë institucion i Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë.
