Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar këtë të premte konkrolle në zyrat e kompanisë farmaceutike “Evita”, një tjetër firmë në zonën e ish Bllokut në kryeqytet si dhe në një banesë. Kontrollet në kompaninë e lidhur me biznesmenin Klodjan Allajbeu janë lëshuar në kuadër të një hetimi në SPAK për koncesionet në shëndetësi.
Me urdhër të SPAK, forcat e policisë dhe agjentët e BKH-së, zbarkuan për kontroll në kompaninë farmaceutike Evita, e lidhur me biznesmenin e njohur Klodian Allajbeu. Kompania farmaceutike ndodhet në zonën e Laknasit.
Aksioni është ende në vijim dhe kontrollet janë urdhëruar nga prokurorja e SPAK Dorina Bejko. Siç raporton “Shqiptarja”, kontrollet lidhen me hetime për koncesionet në shëndetësi.
Me urdhër të prokurores së posaçme, policia dhe BKH-së, ushtruan kontrolle edhe në një firmë tjetër në Tiranë në zonën e ish-bllokut, dhe në një banesë në zonën e Selitës po në Tiranë.
Kompania Evita ka një histori të çuditshme, e cila nisi nga një biznes i vogël në Berat dhe u shndërrua në një prej kompanive që fiton më shumë tendera dhe lëviz miliona euro në vit.
Në vitin 2013 në qytetin e Beratit krijohet nga një zonjë me emrin Majlinda Fetiu shoqëria e vogël “Evita”. Në 2014-n emërohet si administratore Elona Saraçi, e cila më herët kishte qenë e punësuar pranë Spitalit Amerikan, të Klodjan Allajbeut.
Në Shkurt 2016, “Evita” shpk së bashku me spitalin amerikan krijojnë “DiaVita” e cila fitoi koncensionin e Hemodializës, me vlerë 86 milionë euro. 85% të aksioneve të këtij super koncesioni i kishte kompania e vogël nga Berati, ndërsa zbatimin e kontratës koncesionari e mori Spitali Amerikan i Allajbeut që kishte 15%.
Një tjetër detaj që e lidh “Evitan” me Klodjan Allajbeun është fakti se duke filluar nga viti 2014, kompania ka deklaruar si adresë të saj dytësore ambientet e rrjetit spitalor të biznesmenit, duke lëvizur nga Spitali Amerikan 1 pranë ushtarakut, të ai pranë QSUT-së, e deri e deri në Spitalin Amerikan 3.
Një element tjetër interesant është fakti se djali i Majlinda Fetiut, themelueses modeste të kompanisë Evita, Asllan Fetiu rezulton administrator i “AnaMark”,
një prej kompanive në pronësi të Allajbeut përmes Tregut Agro-Ushqimor.
Vlera aktuale e kompanisë “Evita” është 1.2 milionë euro, dhe pronarët janë një firmë holandezë Arimo që ka 72.5% dhe një personazh me emrin Ertel Kërçuku që ka 27.5%.

