Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër kërcënimin që kanë marrë në Gjykatën e Gjilanit, dega në Viti ekipet e mediave online, Nacionale dhe Betimi për Drejtësi.
Sipas njoftimit të AGK’së, gazetarja dhe kameramani i Nacionales, Eriola Cacaj dhe Drilon Namani si dhe gazetari i “Betimi për Drejtësi”, Flamur Kabashi janë kanosur brenda sallës së gjyqit, në përfundim të një seance për kontest pronësor.
“Sipas dëshmisë së gazetarëve, kërcënimi ka ardhur nga pjesëtari i njërës prej familjeve në kontest, i cili e ka bërë gjestin “e prerjes së kokës”, në drejtim të tyre. Ekipet e gazetarëve e kanë njoftuar gjykatësen e rastit dhe e kanë paraqitur rastin në Polici”, thuhet në njoftim.
AGK-ja u ka bërë thirrje Gjykatave dhe Policisë së Kosovës, që të kujdesen për sigurinë e gazetarëve në kohën që ata kryejnë punën e tyre profesionale të raportimit.
“AGK-ja e fton Policinë për punë të shpejtë hetimore për të adresuar kërcënimin, dhe Gjykatën për zhvillim të rastit për këtë kanosje”, thuhet në reagim./Reporteri.net
