Ish-kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka folur lidhur me vendimet e fundit që po ndërmerren në Komunën e Zubin Potokut, duke paralajmëruar se kryetarët e rinj serbë, përmes Listës Serbe, po bëjnë përpjekje të orkestruara për largimin e punëtorëve shqiptarë nga institucionet komunale.
‘’ Momentalisht në Komunën e Zubin Potokut, Lista Serbe po bën vendime të orkestruara qysh di ajo përmes direktivave dhe po bën përpjekje në komunat tjera dhe sigurisht do të ketë edhe tek ne. Kanë qenë të pritura’’ tha ai.
Ai tha se aktualisht situata në Zubin Potok po përcillet me vendime të koordinuara, të cilat sipas tij vijnë si rezultat i direktivave politike dhe mund të shtrihen edhe në komunat e tjera veriore, përfshirë edhe atë ku ai vepron.
“Këto kanë qenë të pritura, por jo sa i përket punëtorisë. Deri tani nuk ka pasur vendime të tilla, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë,” theksoi Zeqiri.
Sipas tij, vendimet për largimin e punëtorëve janë në kundërshtim me ligjin dhe procedurat administrative.
‘’Këto proceduralisht nuk janë në rregull sepse punësimet janë bërë me rregulla procedurale’’, shtoi ai për FrontOnline.
Ai sqaroi se punësimet janë bërë përmes konkurseve dhe rregullave të përcaktuara ligjore, prandaj nuk mund të anulohen “në mënyrë arbitrare”.
