Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka vazhduar të enjten aksionin kundër të dyshuarve lidhur me manipulimet me vota.
Prokuroria ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, po vazhdojnë hetimet e zgjeruara lidhur me grupin e dytë të dyshuarve në Prizren.
“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII lidhur me shkeljen e të drejtave të votimit dhe Kapitullit XXXIII Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me dyshimet për manipulim votash në Prizren, të premten e kaluar janë intervistuar 109 persona në Prizren ndërsa 23 prej tyre janë në paraburgim.
Gjatë rinumërimit janë hasur manipulime edhe në komunat e tjera.
