Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, ato kanë diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet e fundit në vend.
Osmani ka theksuar se Kosova beson në lidershipin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për “agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim”.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë vendimi i duhur dhe strategjik. Ajo nënvizoi se Kosova beson në lidershipin e Presidentit Trump dhe mbetet e gatshme të japë kontribut konkret dhe të përgjegjshëm në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dhe për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Kosova ishte në mesin e vendeve të para nënshkruese të Kartës së Bordit të Paqes. Ceremonia u mbajt në Davos të Zvicrës, ku mori pjesë Osmani.
