Kronikë Policore Lajme

Ndërpritet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, vazhdon më 11 shkurt0

Sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë dalë të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Pas deklaratës së Naim Murselit, seanca është ndërprerë për të vazhduar me 11 shkurt.

Sot në seancë, Plava dhe Kokalla u larguan nga seanca për t’u deklaruar Naim Murseli. Ky i fundit tha se Granit Plavën nuk e kishte takuar në restauratin ku dhe kishte qenë me familjen, Liridonën dhe dy fëmijët.

“Unë ju betohem se nuk e kam parë Granit Plavën. As fizikisht e as veturën e tij se kam parë aty”, tha Murseli.

Ai foli edhe për natën kritike, ku sipas tij, ai s’kishte qenë fare në veturë me fëmijët kur ishte vrarë Liridona.

“Unë ju betohem se kam qenë diku 20-30 metra larg me fëmijët. Shyqyr as ata nuk e kanë parë ngjarjen”, tha mes tjerash ai, ndërsa jep versionin e tij nga nata kritike.

“Nga ana e majtë e ime, nga therrat aty del një person i maskuar në mes të rrugës duke na drejtuar armën. Unë isha vozitës, Liridona pasagjere e fëmija prapa. Liridona tha “o kuku hajni”, diçka kështu dhe unë e ngadalësoj, e nali makinën dhe i ngrit duart tërë kohën dhe personi i maskuar afrohet te dritarja ku ishte Liridona ulur. Ajo e hap dritaren në gjysmë, apo se di sa dhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë nuk mbaj kurrë dhe telefonin e kisha. Ai e zgjat dorën dhe i merr ato, paratë dhe telefonin ia jep Liridona të vetin dhe paratë që i kishte. Ishin disa qindra euro, jo më shumë. Unë kam mendu që grabitja po bëhet për veturë, sepse siç tha më doli një person përpara, se kam pa që ka qenë me makinë. Kjo është arsyeja pse kam dalë prej veturës dhe kur kam dalë më ka thanë telefonin. E kam zgjat dorën dhe e ka marrë telefonin mbi tavan të kerrit. E kam hapën derën e kerrit të fëmijëve dhe fëmija kanë dalë dhe unë pas tyre. Tu mendu që unë kur të dal, ai ia lëshon rrugën Liridonës dhe e merr kerrin dhe pas vetëm disa sekondash kam dëgjuar krismën, më janë dukur si dy krisma dhe kam mendu se po gjuan në drejtim tonin. Nuk kam guxuar të kthehem mbrapa por kam vazhduar me fëmijët, pas disa sekondash e kthej kokën dhe e shoh se nuk është Liridona askund. Në atë moment vjen ajo vetura e zezë në drejtim të fëmijëve dhe timin. Ishte shumë afër me na goditë, nuk e di pse dhe në atë moment e ka kthyer timonin dhe ka vazhduar. Edhe atëherë ishte i maskuar. Unë në aktakuzë akuzohem që e kam mbajtë me dorë gruan time në momentin e fundit të jetës. Unë ju betohem në dy fëmijët që Naim Murseli as në makinë nuk ka qenë kur është vra Liridona, as unë dhe fëmijët. Ajo që e thotë prokurorja është shpifje”, tha Murseli në Gjykatë.