Hykmete Bajrami e LDK-së ka reaguar ndaj kërkesës për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se përfitimi i tregtarëve të energjisë po bëhet në kurriz të qytetarëve.
Ajo ka theksuar se kërkesa e KESCO-s për rritje çmimi nuk është e vetmja, pasi rritje kanë kërkuar edhe operatorë të tjerë si KEDS, KOSTT dhe KEK.
Bajrami ka rikujtuar premtimin e kryeministrit Albin Kurti për uljen e çmimit të energjisë para ardhjes në pushtet.
Sipas saj, çdo rritje e çmimit të energjisë ka efekt multiplikues dhe sjell rritje të çmimeve të të gjitha artikujve. Në fund, ajo ka deklaruar se ndihmat financiare të Qeverisë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve dhe ka bërë thirrje për kundërshtim të vendimeve të padrejta.
Reagimi:
E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve.
Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK.
Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”.
Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ.
Dhe në fund mos harroni se 100 Euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik.
