Kosovë Lajme Lajme

Hasani: Qasja e VV-së ndaj Kushtetutës përshpejton autonominë serbe

Në një intervistë për Gazetën Express, Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani deklaroi se Aktgjykimi i djeshëm i GjK-së për antikushteuetshmërinë e zgjedhjes së Nenad Rashiq si Nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, me propozim të Vetëvendosjes është “konstatim për shkelje brutale dhe pa pardon të dispozitave që mbrojnë barazinë e komuniteteve dhe përfaqësimin politik në Kushtetutën e Kosovës.”

Ai theksoi se Gjykata ia ka “rikujtuar partisë fituese se demokracia e shumicës nuk mund të jetë tirani ndaj askujt, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë.” Sipas tij, “Rashiq nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë e përfaqësojnë ata që kanë më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës.”

Hasani paralajmëroi se reagimi i kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, “paraqet shenjë se partia në pushtet do të vazhdojë me praktikën e rrënimit të rendit kushtetues, shantazhit dhe kërcënimeve ndaj gjyqtarëve.”

Ish-kreu i Kushtetueses shtoi se “kjo logjikë e pushtetit vetëm sa përshpejton implementimin e autonomisë serbe në Kosovë” dhe do të sjellë “intervenim të faktorit ndërkombëtar, me oferta që prekin edhe themelet e pavarësisë së 17 shkurtit.”

Ai përfundoi se “Shteti i Kosovës forcohet vetëm duke respektuar në përpikëri Kushtetutën e Kosovës, Planin e Ahtisarit dhe detyrimet për mbrojtjen e pakicave.”