Një gotë shampanjë, një ftesë miqësore dhe një natë që mori kthesë të errët për deputeten Sandrine Josso të cilën u mundua ta shfrytëzonte seksualisht ish-senatori francez Joël Guerriau, transmeton KFVAgency.com
Të hënën në Paris, ish-senatori francez Joël Guerriau u shfaq para gjykatës, i akuzuar se ka droguar deputetën me qëllim shfrytëzimi seksual.
Guerriau, 68 vjeç, dyshohet se i ka hedhur substancën MDMA në një gotë shampanjë deputetes Sandrine Josso, gjatë një takimi në apartamentin e tij. Ajo ishte ftuar për të festuar rizgjedhjen e tij dhe e njihte prej vitesh, duke e konsideruar mik.
Josso përshkruan se pak pasi piu shampanjën, filloi të ndiente simptoma të forta fizike.
“Kisha rrahje të shpejta të zemrës. Ndihesha sikur do të pësoja një arrest kardiak”, ka treguar ajo për mediat franceze.
Deputetja u largua me urgjencë, mori një taksi dhe shkoi në spital. Analizat e gjakut konfirmuan praninë e MDMA-së. Më vonë, ajo tregoi se kishte vënë re edhe një detaj shqetësues.
“Në një moment pashë një pako të vogël në dorën e tij. Aty kuptova se diçka nuk ishte normale.”
Dy muaj pas ngjarjes, Josso foli publikisht në Asamblenë Kombëtare, duke e përshkruar përvojën si një tronditje të thellë.
“Shkova në shtëpinë e një miku për të festuar rizgjedhjen e tij. Dola e tmerruar. Zbulova se isha droguar pa e ditur. Kjo është ajo që quhet sulm nga droga”, deklaroi ajo para ligjvënësve.
Guerriau nuk e mohon se pija përmbante drogë, por mohon çdo qëllim kriminal.
“Ishte një gabim. Nuk kisha asnjë qëllim ta drogoja apo ta sulmoja”, ka pretenduar ai përmes avokatëve të tij. Mbrojtja argumenton se ish-senatori vuante nga depresioni dhe se substancën e kishte për përdorim personal, duke ia shërbyer pijen Josso-s gabimisht.
Prokuroria, nga ana tjetër, e konsideron versionin e tij të pabesueshëm. Guerriau përballet me akuza për posedim dhe përdorim droge, si dhe për administrim të fshehtë të një substance që ndryshon gjendjen mendore të një personi me qëllim kryerjen e një përdhunimi ose sulmi seksual. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në disa vite burg.
Pavarësisht skandalit dhe presionit të fortë politik, Guerriau qëndroi senator për gati dy vjet pas shpërthimit të çështjes. Ai dha dorëheqjen vetëm në tetor, duke deklaruar se ishte një “vendim politik” dhe jo i lidhur me procesin gjyqësor.
Joel Guerriau u dënua me katër vjet burg, 18 muaj nga të cilët do të vuajë pas hekurave, dhe, sipas mediave, u urdhërua t’i paguante Sandrine Josso 5,000 euro dëmshpërblim për shqetësim emocional.
