Kosovë Lajme Politikë

Rama pezullon nga puna tre zyrtarët e arrestuar në Komunën e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre të martën.

Sipas tij, pezullimi do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore.

“Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ne ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama theksoi se Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet administrative në përputhje me ligjin.

Ai ritheksoi përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin.

“Institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin. Ne mbetemi të përkushtuar që shërbimet publike të ushtrohen me integritet dhe përgjegjësi në shërbim të qytetarëve. Askush mbi ligjin”, shkroi ai.