Kosovë Lajme

Paraburgim për tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës që dyshohen se kërkuan deri në 6000 Euro ryshfet

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar nga një muaj paraburgim tre zyrtarëve të lartë të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, dyshohen se duke shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare, i kanë kërkuar pronarit të një kompanie private ryshfet në këmbim të përshpejtimit dhe realizimit të pagesave të faturave.

Në njoftim, Gjykata ka thënë se paraburgimi është masë adekuate dhe “konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”.

Tre zyrtarët dyshohen se kanë kërkuar ryshfet në vlerë prej 5,500 deri në 6,000 euro për t’ia mundësuar një kompanie private ekzekutimin e pagesave për punë të kryera në kuadër të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve në kryeqytet.

Sipas kërkesës për paraburgim, shuma e kërkuar përfaqësonte rreth 10 për qind të vlerës së dy faturave të papaguara, në vlerë totale mbi 55 mijë euro, të cilat kompania fituese e tenderit kishte dorëzuar për punët e kryera.

“Gjatë muajit Janar 2026 në Prishtinë të pandehurit Afrim Gashi – Zyrtar i lartë për infrastrukturë rrugore në Komunën e Prishtinës dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Prishtinë, Dukagjin Gashi – Udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit në Komunën e Prishtinë dhe Bashkim Sadiku – Zyrtar i lartë për energji në Komunën e Prishtinës të pandehurit në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshje paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe në mënyrë të kundërligjshme kanë planifikuar dhe koordinuar aktivitete korruptive, ashtu që gjatë muajit janar e kanë takuar të dëmtuari E.G – pronar i kompanisë Dardania SHPK, fitues i tenderit për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Komunën e Prishtinës me qëllim të ekzekutimit të pagesave lidhur me punët e kryera i kanë kërkuar para ryshfet 5500-6000 euro, apo 10% të vlerës së dy faturave të pa paguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave në vlerë 27,384.08 euro dhe në vlerë 28,010.40 euro, lidhur me tenderin “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Që të tre zyrtarët janë pezulluar nga puna sot, me vendim të Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës.

“Njoftoj opinioni publik se, sot, kam marrë vendim për pezullimin nga puna të tre zyrtarëve komunalë, pas arrestimit të tyre! Pezullimi nga puna do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedurave hetimore dhe gjyqësore, ndërkohë që ne ritheksojmë përkushtimin për ligjshmëri, transparencë dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Rama ka thënë se institucioni i Kryeqytetit do të bashkëpunojë plotësisht me organet e drejtësisë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative në përputhje me ligjin.