Kosovë Lajme

Mbyllet për publikun seanca për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtësit të të akuzuarit Bedri Shabani, avokatit Besnik Berisha, është mbyllur për publikun seanca e së mërkurës në rastin ku Shabani bashkë me Muharrem Qerimin akuzohen për spiunazh.

Në këtë rast, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi akuzohen për spiunazh. Qerimi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Avokati Berisha propozoi të mbyllet seanca për arsye se do të deklarohen ekspertët lidhur me gjetjet e ekspertizës psikiatrike për të akuzuarin Berisha.

“Me qëllim të mbrojtjes së dinjitetit të Bedri Shabanit, mbrojtjes së informatave, se ligjërisht klasifikohen si informacion i privilegjuar dhe nuk mund të ndahet me askënd pa pëlqimin e tij, propozojmë që kjo pjesë e shqyrtimit gjyqësor të mbahet e mbyllur për publikun”, tha Berisha.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se me shumicë votash, trupi gjykues aprovoi propozimin e Berishës, andaj seanca e sotme u mbyll.

Ndryshe, seanca e planifikuar për 20 nëntor 2025, ishte anuluar pasi ishte urdhëruar ekzaminim psikiatrik për të akuzuarin Bedri Shabani.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale është konfirmuar nga Themelorja dhe Apeli.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës.

Aktakuza ngarkon Shabanin e Qerimin për spiunazh. Kurse, Qerimi akuzohet dhe për armëmbajtje pa leje.