Kosovë Lajme

MASHT’i më në fund nis procesin e rishikimit të kurrikulave për klasat 1-9

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se ka marrë vendim për nisjen e procesit të rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor, klasat 1–5, dhe arsimin e mesëm të ulët, klasat 6–9, transmeton KFVAgency.com


Ajo bëri të ditur se ky proces synon përditësimin dhe modernizimin e kurrikulave në përputhje me Kornizën Kurrikulare, me qëllim përmirësimin e rezultateve të nxënësve dhe zhvillimin e kompetencave të tyre.

Sipas Nagavcit, rishikimi i programeve mësimore do të ndikojë edhe në hartimin e teksteve shkollore më cilësore dhe burimeve të tjera mësimore, si dhe në lehtësimin e ngarkesës së nxënësve dhe peshës së çantave shkollore.

“Ky proces do të mundësojë edhe zhvillimin dhe ofrimin e teksteve shkollore cilësore, burimeve të tjera mësimore që mbështesin procesin e të nxënit, lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe peshës së çantës”, thuhet në njoftim.