Investigime Kronikë Policore Lajme

Anti-korrupsioni vulos hulumtimin e gazetës Reporteri: U.D. i Sekretarit të UP-së në konflikt interesi për konkursin e anuluar

Ajo që nisi si dyshim i bazuar në dokumente dhe burime të brendshme të Universitetit të Prishtinës, tashmë është konfirmuar zyrtarisht nga shteti.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka konstatuar se u.d. Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës, Safet Thaçi, ka vepruar në konflikt interesi “rast për rast”, duke marrë vendim për anulimin e një konkursi në të cilin kishte qenë vetë kandidat.

Ky konstatim vjen pas hulumtimit të publikuar nga gazeta të cilat ngritën dyshime serioze për ligjshmërinë e procesit dhe për përplasjen mes interesit privat të zyrtarit dhe kompetencës së tij vendimmarrëse.

Konkursi që përfundoi në anulim pasi kandidati dështoi

Rasti lidhet me një konkurs të shpallur nga Universiteti i Prishtinës për pozita në administratën e UP-së.

Në këtë proces rekrutimi, Safet Thaçi nuk ishte pjesëmarrës në garë për një nga pozitat e shpallura.

Sipas dokumenteve, Thaçi nuk u përzgjodh si kandidat fitues. Pas këtij rezultati, Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim që edhe pse dështoi në konkurs, ta caktonte atë në pozitën e dytë më të lartë në UP, pas Rektorit – u.d. Sekretar i krejt universitetit.

Ai, në cilësinë e u.d. Sekretarit të Përgjithshëm mori vendim për anulimin e të gjithë konkursit, duke e kthyer një proces rekrutimi të përfunduar në një procedurë të shfuqizuar.

Ky vendim u cilësua problematik që në raportimet e para, pasi ngriti dyshime serioze nëse një zyrtar mund të vendosë mbi një proces në të cilin ka pasur interes personal.

Aplikantë në konkurs, përfshirë edhe punonjës të UP-së, kërkuan opinion nga APK-ja.

Anti-korrupsioni të martën konfirmoi se çështja është trajtuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pas disa kërkesave të parashtruara në institucion, përfshirë edhe raportimin e Gazetës.

APK njofton se kërkesa është shqyrtuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, si dhe duke marrë për bazë edhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, konkretisht dispozitat që lidhen me përjashtimin e nëpunësit nga procedura administrative.

Konstatimi zyrtar: Konflikt interesi “rast për rast”

Pas analizës së plotë, Agjencia ka dalë me konstatim të prerë:

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit rastin në fjalë tashmë e ka shqyrtuar dhe trajtuar konform dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke dhënë përgjigje për palën me konstatimin se në një situatë të tillë shfaqet konflikti i interesit “rast për rast” për shkak të vendimmarrjes për anulimin e konkursit të shpallur nga Universiteti i Prishtinës për pozita në administratën e UP-së, në të cilin proces rekrutimi ai ka qenë kandidat për njërën nga pozitat e shpallura në kuadër të këtij konkursi”, thuhet në përgjigjen e APK.

Sipas APK-së, rasti është vlerësuar nga këndvështrimi i raportit ndërmjet interesit privat të zyrtarit dhe vendimmarrjes së tij zyrtare, elemente këto të përcaktuara qartë në ligjin në fuqi.

“Për më tepër pala është njoftuar edhe për obligimet ligjore të përcaktuara me Ligjin e Parandalimit të Konfliktit të Interesit, Neni 19 lidhur me masat për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesave”.

Neni 19 dhe obligimet ligjore

Përveç konstatimit të konfliktit të interesit, Agjencia e ka njoftuar palën edhe për obligimet ligjore të përcaktuara me Nenin 19 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili parasheh masat që duhet të ndërmerren për parandalimin dhe zgjidhjen e situatave të tilla.

Ky nen obligon zyrtarët publikë që, në rast se ndodhen në konflikt interesi, të përjashtohen nga vendimmarrja dhe të mos përdorin funksionin publik në rrethana ku interesi privat ndikon apo mund të ndikojë në proces.

Rasti edhe në Prokurorinë Speciale

Siç ka raportuar gazeta Reporteri.net më 12 nëntor 2025, për këtë konkurs edhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka nisur grumbullimin e informatave, duke e trajtuar çështjen si pjesë të dyshimeve për shkelje ligjore në procedurën e rekrutimit.

I kontaktuar nga mediumi, në lidhje me konkursin dhe dyshimet për konflikt të interesit, Safet Thaçi në nëntor të 2025, nuk ishte përgjigjur në interesimin e mediumit për të sqaruar rrethanat. Njëjtë ka vepruar edhe UP-ja.