Lajme Shqipëri

‘Trafikim me njerëz’: Djali i Artan Hoxhës u arrestua në Tiranë më urdhër të UNMIK’ut të Kosovës

Prokuroria e Shtetit e ka vendosur nën hetim për përfshirje në krim të organizuar djalin e gazetarit nga Tirana, Artan Hoxha. Geri Hoxha, i moshës rreth 25 vjeçare, është arrestuar të hënën e 19 janarit në Tiranë, në bazë të një urdhërarresti të Policisë së Kosovës.

Urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Hoxhës është shpallur nga autoritetet kosovare më 13 janar të këtij viti.

Siç ka bërë të ditur Policia e Shtetit në Shqipëri, Geri Hoxha dyshohet për përfshirje në krim të organizuar në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, raporton KFVAgency.com

Bashkë me të, Policia e Shtetit ka arrestuar edhe Reando Bibën, një tjetër të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

“Në Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve R. B. dhe G. H., banues në Tiranë. Këta dy shtetas ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut/Kosovë, më 13.01.2026, ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për këta dy shtetas, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal’, në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore”, tha policia shqiptare në një njoftim për media më 19 janar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar “me qëllim ekstradimin drejt autoriteteve të Kosovës”.

Arrestimin e djalit të tij e ka konfirmuar të martën gazetari Artan Hoxha për Paparacin.

Gazetari, i njohur për trajtimin e temave të botës së krimit dhe mafisë në Shqipëri, ka kërkuar që të mos deklarohet gjerësisht me arsyetimin se nuk e ka pranuar ende dosjen e plotë të rastit.

Ai është shprehur shkurt se, sipas tij, rasti mund të ketë prapavijë politike dhe se po përdoret për ta goditur për shkak të punës së tij si gazetar.

Gjykata e Tiranës pritet të vendosë për ekstradimin e Hoxhës dhe Bibës brenda një afati prej 40 ditësh nga dita e arrestimit.

Brenda këtij afati, autoritetet kosovare kanë mundësi të dërgojnë kërkesën për ekstradim si dhe përshkrimin e provave bazë të rastit.