Rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po shkon drejt fundit.
KQZ ka njoftuar se në QNR janë rinumëruar rreth 80% apo 1,973 nga 2,557 vendvotime dhe se në 28 komuna tashmë është përmbyllur procesi.
Por, krejt ata që dyshohet që kanë bërë manipulime me vota duket se nuk do të shpëtojnë nga hetimi.
Ndonëse Prokuroritë Themelore nuk kanë njoftuar për nisje të hetimit për ndonjë komunë tjetër, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka konfirmuar se të gjitha prokuroritë do të lëshojnë autorizime për grumbullim të informacioneve nëpër komunat e Kosovës.
“Hetimet do ta tregojnë se si është bërë ky falsifikim i rezultateve, asnjë nga ta nuk do të amnistohet dhe të gjithë ata që e kanë shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohen me forcën e ligjit”, ka thënë Pula, raporton RTV Dukagjini.
Bashkëpunim për këtë do të ofrojnë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“KQZ qysh në ditën kur është marr vendimi për rinumërim e ka bërë të qartë se do të ofroj çdo gjë që është e nevojshme për institucionet të cilat janë duke u marr me rastin”, ka thënë zëdhënsi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së poashtu tha se procesi i rinumërimit pritet të përfundojë deri të shtunën.
“Sipas planifikimeve presim që i gjithë rinumërimi i të gjitha rinumërimeve deri në fund të këtij muaji pra deri në ditën e shtunë”, ka shtuar Elezi.
Të hënën Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të grumbulloj informata lidhur me procesin e numërimit në komunën e Drenasit, kurse në Prizren tashmë janë në paraburgim 23 persona.
Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.
Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.
Të premten, Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar.
