Kosovë Lajme Politikë

Rinumërimi i votave pritet të përfundojë deri të shtunën

28 komuna e kanë përmbyllur deri tash procesin e rinumërimit të votave.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar se i gjithë procesi pritet të përfundojë deri të shtunën, shkruan Reporteri.net.

Pastaj, shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të shkurtit.

“Sipas planifikimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në fund të këtij muaji, pra deri në ditën e shtunë planifikojmë të përmbyllim rinumërimin në të gjitha vendvotimet. Pas rinumërimit, KQZ do të mund të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, ka deklaruar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

Deri sot në orën 16:00, janë rinumëruar mbi 77% apo 1 mijë e 973 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë gjithsej,

Vendimi i KQZ-së për përfshirjen në rinumërim të të gjitha vendvotimeve, erdhi pas një raporti nga rinumërimi i më shumë se 500 vendvotimeve, sipas të cilit, tek votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikuara janë të papërfillshme, por për dallim prej tyre, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në Prizren. Devijime të mëdha të votës nga rinumërimi në Prizren pati në PDK. Kandidati i kësaj partie për deputet, Fetah Paçarizi doli me mbi 6 mijë vota më pak.

Të premten, Prokuroria Themelore e Prizrenit realizoi aksion lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore, që përfundoi me 109 të arrestuar.