Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, përfshirë 12 zyrtarë dhe biznesmenë si dhe tre kompani, për manipulime në tenderë të Ministrisë së Arsimit, ku sipas hetimeve produktet janë paguar deri në 1,557 për qind më shtrenjtë se vlera reale e tregut.
Sipas PSRK-së, në projektin e prokurimit “Blerja e pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, zyrtarë të MASHTI-t kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke kontraktuar furnizime me çmime shumëfish më të larta gjatë periudhës 2019–2021.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 dhjetor 2025, zyrtarët e MAShT-it, në bashkëpunim me pronarët e kompanive “A & F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” dhe “Shkëmbi-Gllarevë”, kanë manipuluar proceset e prokurimit gjatë viteve 2021-2024.
Hetimet zbulojnë një fakt tronditës: pajisjet e blera për laboratorë janë faturuar me çmime astronomike. Në disa raste, produktet janë paguar nga shteti me çmime që ishin 1557% deri në 1900% më të larta sesa vlera e tyre reale në treg. Ky fryrje artificiale e çmimeve ka bërë që vetëm në dy kontrata kryesore, dëmi të llogaritet mbi 5.4 milionë euro.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Xhemajl Buzuku, zyrtar përgjegjës i prokurimit në Ministrinë e Arsimit, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me disa zyrtarë të tjerë ka keqpërdorur pozitën për favorizime në tenderë publikë.
“Në atë formë që: Me datë 12 shkurt 2024, i pandehuri Xhemajl Buzuku, parashtroi kërkesë për zotimin e mjeteve për departamentin e financave, të cilat mjete me datë 20.02.2024, të pandehurit Fadile Dyla dhe Fehmi Zylfiu duke e aprovuar kërkesën é të pandehurit Xhemajl Buzuku i zotuan përmes zyrtares përkatëse në vlerë të përgjithshme prej 445,519.20 Euro, me ç rast në kundërshtim me ligjin dhe pa bazë kontraktuale i hapën rrugë parashtrimit të rekomandimeve për pagesë“.
Në aktakuzë thuhet se Xhemajl Buzuku, në vazhdim të veprimeve të kundërligjshme nënshkroi urdhër blerjet dhe si rezultat në periudhën 26-29 mars 2024, u ekzekutuan pagesat në vlerën e përgjithshme prej 445,519.20 Euro, kinse në emër të kompensimit për “humbje nga inflacioni në favor të operatorëve ekonomik të lartcekur, përkundër mungesës së çdo baze ligjore për një pagesë të tillë.
Por kjo nuk është hera e parë që emri i Buzukut përmendet në dosjet e drejtësisë. Ai ishte akuzuar edhe më herët për keqpërdorim detyre në lidhje me kontrata të prokurimit
Historia e Buzukut me drejtësinë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e akuzonte Xhemajl Buzukun, se në cilësinë e drejtorit të prokurimit në MASHT, me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 15 maj 2009, kishte lidhur kontratë për 24 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 12 muaj, me operatorin ekonomik “Alb-Architect” për projektin “Mbikëqyrja Profesionale e Objekteve Kapitale të Ndërtuara nga MASHT”.
Po ashtu, sipas aktakuzës, me 16 maj 2011, Buzuku e kishte vazhduar kontratën me operatorin e njëjtë edhe për 12 muaj, dhe me 11 maj 2012, kishte lidhur kontratën finale, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.
Mirëpo, Gjykata Themelore e Prishtinës në vitin 2016, e pat shpallur Buzukun të pafajshëm për shkak të mungesës së provave.
PSRK’ja e kishte akuzuar Xhemajl Buzukun, se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, se kundërligjshëm bashkë me zyrtarë të tjerë të prokurimit, Fehmi Zylfiun dhe Bukurije Borovcin, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Lonin”.
Në këtë aferë, të përfshirë ishin edhe ish-ministri i arsimit, Ramë Buja dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Xhavit Dakaj.
