Lajme Maqedoni

I dyshuari për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut kapet në Tiranë, fshihej me dokumente të Kosovës

Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut është arrestuar në Tiranë, pas disa muajsh hetime dhe kërkime intensive nga Policia e Shtetit.

Bëhet fjalë për shtetasin B. Sh., 52 vjeç, banues në Kopanicë, Saraj, Maqedonia e Veriut, i cili fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova.

Arrestimi u krye nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të fazës së 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Shërbimet operacionale e lokalizuan 52-vjeçarin në zonën e Liqenit të Thatë, ku u kap dhe u shoqërua.

Nga verifikimet e thelluara rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata e Shkupit i kishte caktuar që në vitin 2007 masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Sipas autoriteteve, 52-vjeçari dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesë, policia i gjeti dhe sekuestroi një pasaportë kosovare, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti, të gjitha të falsifikuara, me gjeneralitetet e një shtetasi nga Kosova.

Për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut.

VIDEO