Kosovë Lajme

Arrestimi i tre zyrtarëve të Komunës, Rama: Askush nuk është mbi ligjin

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të komunës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ryshfet.

Rama ka thënë se komuna do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.

Ai ka shtuar se askush nuk është mbi ligjin.

“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.

Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama.

POSTIMI

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se të arrestuarit janë, Dukagjin Gashi (Shef sektori në Drejtorinë e Shërbimeve Publike) dhe dy zyrtarë të lartë të kësaj drejtorie, Bashkim Sadiku dhe Afrim Gashi.

Ky i fundit madje, sipas Prokurorisë u kap në flagrancë me ryshfet.