Policia e Kosovës ka arrestuar të martën zyrtarin e Komunës së Prishtinë, Bashkim Sadikun, djalin e këngëtarit të muzikës folklorike, Xhavit Sadiku.
Bashkim Sadiku, anëtar i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, është arrestuar bashkë me dy të tjerë nën dyshimin për korrupsion.
Prokuroria tha se tre të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës dhe marrje të ryshfetit.
Njëri nga të dyshuarit, sipas njoftimit të Prokurorisë, është arrestuar në flagrancë duke pranuar ryshfet.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftim.
Xhavit Sadiku, babai i zyrtarit komunal Bashkim Sadiku, është një emër i njohur i këngës në Kosovë. Ai është këngëtar i zhanrit folklorik dhe pjesëtar i bendit Xhevahirët.
