Botë Lajme

Të paktën shtatë të vdekur dhe 800 mijë banorë pa energji elektrike nga stuhia e madhe dimërore në SHBA

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë SHBA-në, duke lënë të paktën shtatë të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në të gjithë vendin janë mbyllur dhe fluturimet janë anuluar, pasi kushtet “kërcënuese për jetën” shtrihen nga Teksasi në New England, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).

Të paktën dy persona vdiqën nga hipotermia në Luiziana, dhe vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas.

Që nga pasditja e së dielës, më shumë se 800,000 familje kishin mbetur pa energji elektrike, sipas poweroutage.us, shkruan BBC.

Ndërkohë, më shumë se 11,000 fluturime u anuluan, raportoi FlightAware.

Bora e madhe, breshëri dhe “shiu i ngrirë”, i cili është një fenomen i rrezikshëm ku pikat e ftohta të shiut ngrijnë menjëherë në sipërfaqe, mund të zgjasin me ditë të tëra, dhe stuhia mund të prekë rreth 180 milionë amerikanë – më shumë se gjysmën e popullsisë.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, dhe kjo do të pengojë çdo përpjekje për rimëkëmbje”, ka thënë Allison Santorelli, një meteorologe në Shërbimin Kombëtar të Motit, për CBS News.

Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës konfirmoi të dielën se dy burra kishin vdekur nga hipotermia.

Edhe kryebashkiaku i Austin, Teksas, tha se kishte pasur një vdekje “të lidhur me ekspozimin”.

Ndërsa zyrtarët në Kansas thanë se një grua, trupi i së cilës u gjet të dielën pasdite i mbuluar me borë, “mund të ketë vdekur nga hipotermia”.

Vdekje të tre personave të lidhura me motin janë raportuar edhe në Tenesi.

Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, shkroi në një postim në X se të paktën pesë persona në qytet kishin vdekur të shtunën, por shtoi se shkaku i vdekjes së tyre ende nuk është përcaktuar.

Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, i paralajmëroi banorët të qëndrojnë brenda dhe jashtë rrugëve.

“Ky është sigurisht moti më i ftohtë që kemi parë, stuhia më e ftohtë dimërore që kemi parë në vite”, tha ajo të dielën.

“Një lloj rrethimi arktik ka pushtuar shtetin tonë dhe shumë shtete të tjera në të gjithë vendin”.

Hochul tha se kushtet “brutale” pritej të sillnin periudhën më të gjatë të të ftohtit dhe reshjet më të larta të borës në vite.

E guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, theksoi të dielën se shteti po shihte më shumë akull dhe më pak borë sesa ishte parashikuar fillimisht.

Ekspertët e motit kanë paralajmëruar se një nga rreziqet më të mëdha të stuhisë është akulli, i cili ka potencialin të dëmtojë pemët, të rrëzojë linjat e energjisë dhe t’i bëjë rrugët të pasigurta.

Kanadezët janë goditur gjithashtu nga bora e madhe dhe qindra fluturime të anuluara.