Kosovë Lajme Politikë

‘Liria ka Emër’ siguron lejen për marshin qytetar më 17 shkurt në Prishtinë

Platforma qytetare “Liria ka Emër” bëri të ditur se ka siguruar lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për organizimin e marshit qytetar në hapësirë publike, transmeton Gazeta KFVAgency.com


Sipas njoftimit, marshi do të mbahet me moton “Drejtësi, jo politikë!” dhe do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Në dokumentin zyrtar të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, sipas platformës ‘Liria ka Emër’ thuhet se “leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt”.

Platforma po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshimi, duke e cilësuar atë si një kërkesë qytetare për drejtësi të paanshme.

“Platforma “Liria ka Emër” u bën thirrje qytetarëve të Prishtina dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite. Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika”, thuhet në njoftim.