Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL AR 2, pas identifikimit të substancës Cereulide në një seri të tij përmes sistemit RASFF.
Produkti është vlerësuar me rrezik serioz për shëndetin.
AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që ta mos e përdorin produktin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes.
Njoftimi:
Prishtinë, 26.01.2026
AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar njoftimin me nr. 2026.0598, lidhur me produktin ushqimor për foshnje APTAMIL dhe në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu.
Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit, APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi, ENG 24 x 400 gr. Prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone), importues në Kosovë: UNION SH.P.K., Vushtrri.
AUV u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
