Kosovë Lajme

2025’ta ndër vitet më të suksesshme për Aeroportin “Adem Jashari” – mbi 4.6 milionë udhëtarë e rreth 30 mijë fluturime

Viti 2025, ka qenë një prej më të suksesshmëve për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Përgjatë vitit të kaluar, ky aeroport priti e përcolli mbi gjysmëmilioni pasagjerë brenda një muaji, duke shënuar kështu rekord historik. Ndërkohë, numri total i udhëtarëve shkoi në 4.6 milionë, shkruan KFVAgency.com

Mbi 4.6 milionë udhëtarë ka regjistruar Aeroporti “Adem Jashari” në vitin që lamë pas, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024.

Rrjedhimisht, rritje ka pasur edhe në numrin e fluturimeve që ka arritur në gati 30 mijë. Nga 27 mijë e 36 fluturime sa ishin në vitin paraprak, gjatë 2025’ës ky numër shkoi në 29 mijë e 962 fluturime.

Pothuajse secilin muaj përgjatë vitit të kaluar, Aeroporti i Prishtinës ka shënuar rritje të numrit të udhëtarëve. Ky trend e ka përcjellë aeroportin edhe në fundvit.

Numrin më të madh të udhëtarëve, ANP e regjistroi gjatë gushtit, duke shënuar rekord historik me mbi 500 udhëtarë në muaj.

Përveç rritjes së trafikut ajror, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka vazhduar investimet në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët. Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.

Përmes këtyre pajisjeve, pasagjerët mund të skanojnë dokumentet e udhëtimit, të përzgjedhin opsionet e dëshiruara dhe të printojnë kartën e imbarkimit, pa pasur nevojë të presin në radhë në sportelet tradicionale.

Investimet më të reja u përuruan në fillim të nëntorit, përmes së cilave synohet të bëhet sa më e këndshme përvoja e pasagjerëve.

Aeroportit i është shtuar një parking i ri me sipërfaqe mbi 17 mijë e 200 metra katror, e që ka kapacitet për më shumë se 750 automjete.

Për të reduktuar kohën e pritjes së udhëtarëve pas mbërritjes, është shtuar një rrip i ri për bagazhe si dhe janë shtuar dyert e ndara për nisje dhe mbërritje, për më shumë efikasitet gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh.

Një dyqan i ri Unifree-Check Inn është shtuar në sallën e mbërritjeve.

Gjatë vitit të kaluar, është zgjeruar edhe harta e destinacioneve drejt të cilave realizohen fluturime, ku tashmë ka edhe fluturime direkte drejt kryeqendrave evropiane.

Parisi, Amsterdami, Kopenhaga e Stockholm, janë veç disa prej tyre.

Zvicra mbetet destinacioni kryesor nga rreth 35 sa ofrohen, pasuar nga Gjermania, Turqia e Austria.

Numri i fluturimeve që realizohen nga ky aeroport shkon deri në 100 brenda një dite.

E mërkura, shtuna dhe e diela janë ditët më të ngarkuara me fluturime dhe udhëtarë.